Fushata “Dashni që vishet”
Në Trust Circle Foundation besojmë se lidhjet më të pastërta lindin nga gjestet e vogla plot dashuri. Me këtë frymë u organizua aktiviteti ‘Dashni që Vishet’, një nismë artistike dhe emocionale e realizuar në bashkëpunim me Down Syndrome Kosova, kreatoren Leonita Muja, dhe Trust Art.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të krijonte momente të bukura dhe kohë cilësore mes fëmijëve dhe nënave, përmes pikturimit në këmishat e bardha që u shndërruan në vepra të vogla arti.


Një aktivitet që feston dashurinë më të pastër
Përmes ngjyrosjes së këmishave të bardha, fëmijëve iu dha mundësia të krijojnë një vepër të tyre artistike një kujtim që vishet, ruhet dhe bart emocionin e një përqafimi fëmije. Çdo vijë e vizatuar, çdo ngjyrë e zgjedhur dhe çdo formë e pikturuar pasqyronte një emocion të vërtetë, të sinqertë dhe të bukur.
Atmosfera e aktivitetit u mbush me buzëqeshje, kreativitet, momente të paharrueshme dhe një energji pozitive që tregoi edhe një herë fuqinë e artit në ndërtimin e një komuniteti më të bashkuar.


Misioni pas këmishave më shumë se art
“Dashni që Vishet” nuk është thjesht një aktivitet artistik. Është një thirrje për të mbështetur fëmijët dhe të rinjtë e Down Syndrome Kosova dhe për të krijuar mundësi më të mëdha zhvillimi për ta.
Çdo këmishë e krijuar dhe e shitur është një kontribut i drejtpërdrejtë për programet, shërbimet dhe aktivitetet që ndihmojnë në fuqizimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Bëhuni pjesë e kësaj nisme
Duke blerë një këmishë unike, ju nuk po merrni vetëm një vepër artistike por po mbështesni një kauzë humane. Çdo këmishë vazhdon të shitet, dhe 100% e vlerës së secilës blerje shkon për mbështetjen e shërbimeve dhe aktiviteteve të Down Syndrome Kosova.
Porositë bëhen përmes Webfaqes, DM ose vizita fizike në qendrën e Down Syndrome Kosova. Link: https://trustcirclefoundation.org/sq/shop/

